Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, u takua me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjenerallejtënant Arben Kingji.
Gjatë këtij takimi, u shpreh mirënjohja për udhëheqjen e Gjeneral Kingjit në FARSH dhe mbështetjen e tij ndaj FSK-së. Gjatë diskutimit, u trajtuan çështje të rëndësishme mbi zhvillimet aktuale në fushën e sigurisë dhe roli që luan FSK-ja në ruajtjen e sigurisë së Kosovës, duke kontribuar në stabilitetin rajonal.
Të dy gjeneralët vlerësuan përparimin e FSK-së në aspektin e zhvillimit dhe modernizimit, si dhe performancën në bashkëpunimet shumëkombëshe. U nënvizua rëndësia e mbështetjes nga FARSH në fushat e arsimit, trajnimit dhe shkëmbimit të përvojave, duke synuar forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
Në përfundim, u ritheksua se përmirësimi i marrëdhënieve midis dy forcave ushtarake mbetet një prioritet kombëtar strategjik.

Leave a Reply