Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) së shpejti do t’i paraqesë Qeverisë së Kosovës kërkesën për buxhetin e nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të Kuvendit të Kosovës, të cilat janë planifikuar për 28 dhjetor 2025.
Megjithatë, shuma e saktë ende nuk është zbuluar, pasi është në proces përgatitjeje. Nëse buxheti do të jetë i ngjashëm me zgjedhjet e mëparshme, atëherë shpenzimet e përgjithshme për vitin 2025 mund të arrijnë rreth 28 milionë euro.
Valmir Elezi, zëdhënësi i KQZ-së, shpjegoi se në zgjedhjet e 9 shkurtit u planifikuan 8.7 milionë euro, ndërsa për zgjedhjet lokale u parashikuan 10.5 milionë euro. Shpenzimet e sakta të këtyre zgjedhjeve ende nuk janë konfirmuar plotësisht.
Aktualisht, KQZ është duke hartuar buxhetin për zgjedhjet e reja, dhe kërkesa do t’i dërgohet Qeverisë për miratim. Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme ka rritur përgjegjësitë e KQZ-së, duke ndikuar në koston e organizimit.
Pjesa më e madhe e fondeve planifikohet të përdoret për pagat e trupave zgjedhore dhe stafit të angazhuar.

Leave a Reply