Skandali i “Arkitektit të Qytetit” do të përndjekë Përparim Ramën gjatë fushatës zgjedhore, thotë Olluri.

Gazetari Parim Olluri ka bërë komente rreth fushatës zgjedhore të kandidatit të LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, duke ngritur shqetësime për mungesë transparence dhe dyshime për shkelje ligjore në projektet e Komunës.

“Mua po më vjen mirë që është pajtuar me Lumirin, sepse nuk kanë folur për dy vjet”, tha Olluri me ironi në emisionin Pressing, duke iu referuar marrëdhënies së Ramës me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai theksoi se një vendim i fundit nga Agjencia për Informim dhe Privatësi pritet të jetë çështje kryesore në fushatën e ardhshme.

“Bëhet fjalë për urdhrin e AIP-së, që e detyron Përparim Ramën t’i bëjë publike pagesat për shokun e tij, Astrit Nixhën, në projektin ‘Arkitekti i Qytetit’. Janë mbi 10 milionë euro që kanë përfunduar tek ai, pa asnjë transparencë dhe me dyshime serioze për shkelje ligjore”, u shpreh Olluri.

Sipas tij, Komuna e Prishtinës ka refuzuar kërkesat e qytetarëve për qasje në këto të dhëna, duke e detyruar AIP-në të ndërhyjë, siç ndodhi edhe në rastin e Prindon Sadriut.

“Sipas mendimit tim, ky projekt është një hajni e madhe dhe e pastër, dhe do të jetë padyshim pjesë e debatit zgjedhor,” u shpreh Olluri.

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka urdhëruar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, që të bëjë publike pagesat e realizuara në kuadër të tenderit 12 milionësh për projektin “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”.

Ky tender është përballur me kritika që nga shpallja, për shkak të parregullsive dhe ankesave të shumta. Fitues i kontratës është kompania e Astrit Nixhës – një bashkëpunëtor i afërt i Ramës, i cili ka qenë i përfshirë më parë në projekte të përbashkëta me të.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *