Spitali i Gjakovës ka bërë të ditur se pacientja M.R., e cila ndërroi jetë të premten, ishte në gjendje kome për më shumë se tre vjet dhe gjatë kësaj kohe ka marrë trajtim në Kujdesin Intensiv Qendror.
Ky reagim erdhi pas raportit të Policisë së Kosovës, që përmendi nisjen e një hetimi për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor” bazuar në dyshimet e bashkëjetuesit të saj. Spitali thekson se personi që ngriti këto akuza nuk bën pjesë në familjen e pacientes dhe pretendimet e tij nuk përputhen me realitetin, duke i konsideruar si përpjekje për të dëmtuar reputacionin e stafit mjekësor.
Stafi ka siguruar se kujdesi ka qenë i vazhdueshëm dhe profesional, sipas protokolleve mjekësore. Vizitat në Kujdesin Intensiv janë rregulluar me protokolle strikte, por familjarët e pacientes kanë pasur mundësi të jenë të pranishëm gjatë gjithë kohës së trajtimit.
Spitali ka kërkuar që institucionet përkatëse të trajtojnë çështjen me përgjegjësi dhe të parandalojnë përhapjen e shpifjeve që ndikojnë negativisht në punën e stafit shëndetësor.

Leave a Reply