Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë dhe Policia e Kosovës po organizojnë një ushtrim të përbashkët në shkallë të gjerë sot, nga ora 15:00 deri në 21:00.
Ky ushtrim përqendrohet në menaxhimin e krizave dhe procedurat emergjente, duke synuar forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë mes dy vendeve. Sipas ambasadës, aktivitete të tilla janë të zakonshme për të përgatitur stafin për situata emergjente, qoftë natyrore apo të shkaktuara nga njeriu.
Gjatë zhvillimit të ushtrimit, pritet një prani e shtuar e Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së Ambasadës së SHBA-së në zonat e caktuara për trajnim. Mund të ketë ndërprerje të trafikut dhe devijime rrugore të përkohshme, si dhe përdorim të sirenave dhe altoparlantëve.
Ambasada e SHBA-së thekson se ky është vetëm një ushtrim dhe kërkon mirëkuptimin e publikut, duke kërkuar që të ndiqen udhëzimet e Policisë së Kosovës.

Leave a Reply