Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka ngritur një ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, duke sfiduar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që mohoi përsëritjen e votimit në Mitrovicë.
Sipas PDK-së, vendimi i PZAP nuk reflekton parregullsitë e identifikuara gjatë procesit zgjedhor në komunë. Zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Latifi, konfirmoi për Telegrafin se ankesa është dorëzuar më 18 nëntor 2025 dhe se gjykata do të marrë një vendim brenda pesë ditësh.
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Gjykata Supreme një shqyrtim të detajuar të çështjes, duke theksuar se integriteti i procesit zgjedhor duhet të ruhet dhe vota e qytetarëve të respektohet. PDK insiston se vetëm rivotimi në Mitrovicë do të garantonte drejtësi për qytetarët.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, doli fitues me shumicën e votave. PDK ka shprehur vendosmërinë për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore deri në përfundimin e këtij procesi.

Leave a Reply