Sveçla shpreh mirënjohjen e tij për Gjeneralmajor Barduanin në mbylljen e mandatit të KFOR-it në Kosovë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u takua me Komandantin e misionit të KFOR-it në Kosovë, Gjeneralmajor Enrico Barduani, për t’i uruar lamtumirë në përfundim të mandatit të tij në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, Ministri Sveçla shprehu mirënjohjen e tij ndaj Gjeneralmajor Barduani për bashkëpunimin e frytshëm dhe mbështetjen e vazhdueshme që KFOR-i ka ofruar për institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës.

“Republika e Kosovës dhe Italia, vendi i origjinës së Komandantit Barduani, ndajnë vlera të përbashkëta – paqen, stabilitetin dhe sigurinë për vendin dhe qytetarët tanë,” u shpreh Ministri Sveçla.

Ai theksoi përkushtimin e Kosovës për integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke vënë në pah rolin e rëndësishëm të partnerëve ndërkombëtarë në këtë drejtim.

Në përfundim të takimit, Ministri Sveçla shprehu falënderimet e tij për kontributin e vyer të Komandantit Barduani gjatë mandatit të tij në Kosovë dhe i uroi suksese në detyrat e tij të ardhshme, duke shprehur besimin se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it do të vazhdojë të jetë i fortë dhe i qëndrueshëm.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *