Gjykata Themelore e Pejës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh për Istref Bajramin, Liridon Hajrizajn dhe Enver Hasanin, të arrestuar për kultivim të narkotikëve në Sferkë.
Sipas Prokurorit Ersan Qavolli, ekziston dyshimi se të pandehurit janë përfshirë në veprimtari të paligjshme, përfshirë kultivimin e bimëve narkotike dhe shpërndarjen e substancave të ndaluara. Gjykata argumentoi se lënia e tyre në liri mund të ndikojë negativisht në dëshmitarë apo në shkatërrimin e provave.
Prokurori vuri në dukje kalimet e shpeshta të kufirit nga të pandehurit në vendet e rajonit, duke ngritur shqetësime për arratisje ose përsëritje të veprimeve penale. Avokatët e të pandehurve kundërshtuan vendimin, duke argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme për të justifikuar paraburgimin.
Ata theksuan bashkëpunimin e klientëve të tyre me autoritetet dhe mungesën e një rreziku real për arratisje. Pavarësisht kësaj, Gjykata vendosi që paraburgimi është i domosdoshëm për të siguruar mbarëvajtjen e procesit hetimor.

Leave a Reply