Një numër i madh qytetarësh dolën në rrugët e kryeqytetit meksikan për të protestuar kundër krimit dhe korrupsionit, në një valë demonstratash të udhëhequra kryesisht nga të rinjtë e Gjeneratës Z.
Sipas autoriteteve, protestat rezultuan në 120 të plagosur, duke përfshirë 100 policë, nga të cilët 40 kërkuan trajtim spitalor. Gjithashtu, u arrestuan 20 persona.
Ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës ndodhi pasi një grup protestuesish tentuan të shembnin barrierat përreth Pallatit Kombëtar, ku ndodhet edhe rezidenca presidenciale. Clara Brugada, kryetarja e qytetit, dënoi aktet e dhunshme, duke theksuar se “dhuna cenon të drejtat e të tjerëve” dhe se u krye nga një grup i vogël radikal.
Lëvizja Generation Z Mexico publikoi një manifest ku shpreh zhgënjimin e të rinjve ndaj dhunës, korrupsionit dhe abuzimeve me pushtetin. Protestat pasuan një seri vrasjesh të profilit të lartë, përfshirë vrasjen e kryebashkiakut të Uruapanit, Carlos Alberto Manzo Rodriguez.
Mbështetësit e tij, të veshur me kapele kashte, simbol i lëvizjes së tij, brohoritnin kundër qeverisë. Protesta të ngjashme u mbajtën edhe në shtete të tjera si Michoacán, ku ndodhi vrasja e Manzos.
Qeveria pretendon se këto demonstrata janë organizuar nga opozita e djathtë dhe janë nxitur nga llogari të automatizuara në rrjetet sociale.

Leave a Reply