Tenderi gjysmë-milionësh në MASHT ngre shqetësime ligjore

Ministria e Arsimit në Kosovë ka dhënë një kontratë për ndërtimin e një salle edukative fizike në shkollën “Mustafa Bakija” në Gjakovë, me vlerë mbi 539 mijë euro.

Kjo kontratë i është dhënë kompanisë “SOPI GROUP”, e cila ka lidhje me një ish-militant të Lëvizjes Vetëvendosje. Mirëpo, një kompani tjetër ka dorëzuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke pretenduar se Ministria ka kufizuar të drejtën për rishqyrtim, duke publikuar vendimin për dhënien e kontratës në prag të festave të fundvitit.

Sipas ankesës, kjo ka reduktuar afatin ligjor për të bërë një apel real. Gjithashtu, është theksuar se Ministria ka bllokuar qasjen në dokumentacionin e tenderit, duke mos shqyrtuar kërkesat deri pas skadimit të afateve ligjore.

Në ankesë kërkohet që çështja të rishqyrtohet. Kompania “SOPI GROUP”, që fitoi kontratën, ka lidhje me Naim Sopaj, një ish-drejtues i kompanisë dhe militant i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ishte punëdhënës i zëvendësministrit aktual të Arsimit, Hysen Durmishi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *