Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre individëve, J.V., D.V., dhe I.D., për ngjarjen e shpërthimit që ndodhi në kanalin “Ibër Lepenc” në nëntor të vitit të kaluar.
Aktakuza përfshin akuzat për “Rrezikim të rendit kushtetues përmes shkatërrimit apo dëmtimit të instalimeve publike”, “Kryerje të veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Spiunazh”. Ngjarja ka marrë vëmendje pasi J.V.
dhe D.V., së bashku me persona të tjerë të panjohur, dyshohet se kanë vendosur rreth 20 kilogram eksploziv të llojit TNT në kanalin në Varagë, Zubin Potok. Shpërthimi ka shkaktuar dëme të mëdha në strukturën e betonit, ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm dhe rrezikim të prodhimit të energjisë, duke shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh.
Gjatë hetimeve, të kryera në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe partnerët evropianë, u zbulua se J.V. akuzohet edhe për spiunazh, duke vepruar si pjesë e Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë dhe duke mbledhur informacione të klasifikuara.

Leave a Reply