Tre të arrestuar në Vlorë për rrëmbimin e një mitrovicasi

Policia në Vlorë ka bërë të ditur arrestimin e tre individëve të dyshuar për pengmarrjen e një 39-vjeçari nga Kosova.

Sipas informacioneve, viktima është identifikuar si Fisnik Xhaka nga Mitrovica, i cili jeton në Malmo të Suedisë. Ngjarja është e lidhur me një borxh të pashlyer, dhe mendohet se i riu është mbajtur peng për rreth dy javë në një ndërtesë në lagjen “Osman Haxhiu” në Vlorë.

Të arrestuarit do të dalin përpara gjykatës, ndërsa mbrojtja ka dorëzuar prova filmike dhe fotografike që tregojnë marrëdhëniet e tyre me të riun. Në pamjet e dorëzuara, duket se të dyshuarit dhe viktima janë në një ambient të qetë dhe miqësor, gjë që, sipas mbrojtjes, tregon njohjen e tyre të mëparshme.

Mbrojtja pretendon se Xhaka kishte ardhur në Vlorë me qëllim qëndrimi dhe jo si viktimë pengmarrjeje, dhe se motra e tij, që jeton në Suedi, kishte ngritur denoncimin. Në ndërtesën ku ai ishte mbajtur, policia ka gjetur valixhen me rrobat e tij personale, çka mbështet pretendimin e mbrojtjes.

Hetimet janë ende në vazhdim dhe gjykata do të shqyrtojë provat e paraqitura nga të dyja palët.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *