Arian Qelaj, një 45-vjeçar nga fshati Maznik i Deçanit, është shpallur në kërkim së bashku me dy familjarë për përfshirjen në një tentativë vrasjeje të biznesmenit Jeton Buquku.
Incidenti ndodhi të dielën në rrugën “Adem Jashari” në Pejë, ku Buquku, pronar i kompanisë “Buquku Sh.p.k”, u qëllua me armë zjarri dhe u plagos rëndë. Fillimisht, Buquku mori trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës dhe më pas u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës.
Mjekët konfirmuan se gjendja e tij është e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetë. Policia e Kosovës ka identifikuar tre të dyshuarit, të cilët janë Arian, Yll dhe Altin Qelaj, të gjithë nga familja Qelaj.
Aktualisht, ata janë në arrati. Arian Qelaj ka një histori të mëparshme kriminale.
Në dhjetor 2019, ai ishte shpallur në kërkim për dhunim dhe lëndim të rëndë trupor dhe dyshohet se ishte larguar në Gjermani. Ai dhe vëllai i tij, Ismet Qelaj, ishin akuzuar për një rrahje në fshatin Raushiq të Pejës.

Leave a Reply