Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Michael Doyle, ka bërë të ditur se kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova, ka kthyer një përgjigje ndaj letrës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Trëndafilova ka theksuar se vendimet për paraburgimet i marrin gjyqtarët e trupave gjykues dhe jo ajo personalisht, duke nënvizuar pavarësinë e gjykatës dhe respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut. Në kuadër të proceseve gjyqësore në Gjykatë, Doyle informoi se gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të vazhdojë të hënën.
Mbrojtja e Hashim Thaçit planifikon të thërrasë tre dëshmitarë të tjerë, përfshirë Wesley Clark, i cili pritet të dëshmojë më 18 nëntor. Një seancë shtesë do të mbahet më 21 nëntor për të përfunduar dëshminë e Clark.
Gjithashtu, u hodh poshtë një ankesë e mbrojtjes lidhur me vonesën e pretenduar të Prokurorisë në dorëzimin e materialeve, pasi gjykata konstatoi se këto materiale ishin dorëzuar pa vonesa të dëmshme për mbrojtjen.

Leave a Reply