Tre autosallone të njohura, “Alberti”, “Sherreti” dhe “AutoMita”, kanë realizuar një qarkullim të përbashkët prej 103 milionë eurosh nga shitja e automjeteve gjatë vitit 2024, duke raportuar një fitim neto të përbashkët prej 10.5 milionë eurosh, sipas një raportimi nga portali “FrontOnline”.
“Alberti” ka kryesuar në shitje me një qarkullim prej 35.5 milionë eurosh, duke shënuar një rritje prej 2.5 milionë eurosh krahasuar me vitin 2023, ndërsa fitimi i tij neto për vitin 2024 arriti në 6.36 milionë euro. Po ashtu, “Sherreti” ka arritur një qarkullim të ngjashëm prej 35.3 milionë eurosh, por me një fitim më të vogël prej 2.65 milionë eurosh.
Ndërkohë, “AutoMita”, përfaqësuesi zyrtar për brendet Renault, Nissan, Dacia, dhe Volvo, ka raportuar një qarkullim prej 31.5 milionë eurosh dhe një fitim neto prej 1.53 milionë eurosh. Në anën tjetër, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka theksuar shqetësimin për fenomenin e fajdes në vend, duke përmendur përfshirjen e mundshme të pronarëve të salloneve të veturave në këtë veprimtari.
Skender Bajrami, pronari i “Alberti”, është akuzuar më parë për fajde, një çështje që çoi në arrestimin e tij në vitin 2023, ku prokuroria kishte kërkuar paraburgim për disa të dyshuar.

Leave a Reply