Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka dhënë sërish këshilla rreth përdorimit të medikamenteve dhe vaksinave. Në një konferencë për shtyp të mbajtur të hënën, ai u bëri thirrje grave shtatzëna të shmangin përdorimin e Tylenol, i njohur si paracetamol, dhe më pas e përforcoi këtë mesazh në një postim të bërë të premten në “Truth Social”, duke deklaruar: “Gra shtatzëna, mos përdorni Tylenol përveçse kur është absolutisht e nevojshme. Mos ia jepni Tylenolin fëmijëve tuaj të vegjël për pothuajse asnjë arsye.”
Këto deklarata të presidentit pasuan një referim ndaj një studimi të ri nga universitetet Mount Sinai dhe Harvard, i cili shqyrtoi 46 hulumtime të mëparshme dhe konstatoi një lidhje ndërmjet përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe rrezikut më të lartë të çrregullimeve të zhvillimit neurologjik, përfshirë autizmin. Sidoqoftë, shumë ekspertë theksojnë se një lidhje statistikore nuk provon shkak-pasojë, ndërsa kërkime të tjera të mëdha, si një studim suedez mbi 2.4 milionë fëmijë, nuk kanë gjetur ndonjë lidhje, raporton A2 CNN.
Trump gjithashtu propozoi ndarjen e dozës së vaksinës MMR (fruthi, shytat dhe rubeola) në tre vaksina të veçanta, vaksinën e lisë veçmas, dhe shtyrjen e vaksinës kundër Hepatitit B deri në moshën 12-vjeçare.
Këto komente kanë ngjallur reagime brenda administratës. Zëvendëspresidenti JD Vance dhe shefi i CMS, Dr. Mehmet Oz, dhanë qëndrime më të kujdesshme, duke theksuar se gratë shtatzëna duhet të konsultohen me mjekun e tyre. Dr. Oz shtoi se në rastet me temperaturë të lartë, përdorimi i Tylenol-it mund të jetë i domosdoshëm, pasi edhe vetë ethet paraqesin rrezik për fëmijën.
Ndërkohë, kompania Kenvue, prodhuesja e Tylenol-it, mbrojti sigurinë e produktit të saj duke theksuar se dekada kërkimesh dhe vlerësime nga autoritetet shëndetësore ndërkombëtare nuk kanë gjetur prova të besueshme që e lidhin paracetamolin me autizmin.

Leave a Reply