Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se mund të zhvendosë ndeshjet e Kupës së Botës 2026 nga çdo qytet amerikan që konsiderohet i pasigurt. Ky turne madhor do të organizohet bashkërisht nga SHBA, Kanadaja dhe Meksika, me 78 nga 104 ndeshje që do të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë edhe finalen.
Në listën e qyteteve pritëse në SHBA janë Atlanta, Bostoni, Dallasi, Houstoni, Kansas City, Los Angeles, Miami, New York/New Jersey, Philadelphia, San Francisco dhe Seattle. Trump shprehu shqetësime veçanërisht për tre qytetet e fundit – të cilat janë bastione të demokratëve – duke i konsideruar si potencialisht të pasigurta.
“Do të jetë e sigurt për Kupën e Botës. Por nëse mendoj se nuk është, ndeshjet do t’i zhvendosim në një qytet tjetër,” deklaroi ai nga Zyra Ovale.
Gjithsesi, mbetet e paqartë nëse presidenti amerikan ka kompetenca të drejtpërdrejta për të ndryshuar qytetet pritëse, pasi organizimi është në dorë të FIFA-s. Një ndryshim i tillë do të paraqiste sfida të mëdha logjistike. Trump, megjithatë, ka një marrëdhënie të ngushtë me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, dhe kryeson taskforcën e veçantë për Kupën e Botës.
Lufta kundër krimit është në qendër të politikës së Trump, dhe muajt e fundit ai ka angazhuar Gardën Kombëtare në disa qytete amerikane, përfshirë Washington DC dhe Los Angeles.
Kupa e Botës 2026 është planifikuar të mbahet nga 11 qershori deri më 19 korrik, ndërsa shorti për fazën e grupeve do të zhvillohet më 5 dhjetor në Washington DC.

Leave a Reply