Demokracia në Veprim ka shprehur shqetësim pas vendimit të KQZ-së për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sipas DnV, ky proces duhet të jetë i bazuar në kritere ligjore dhe jo në vendime me motive politike. Ata theksojnë se certifikimi i kandidatëve është një procedurë e qartë që nuk pranon devijime të tilla.
DnV vëren se ky nuk është rasti i parë ku KQZ-ja shmang praktikat e mëparshme dhe rekomandimet e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme. Vendime të tilla, sipas tyre, zakonisht anulohen nga instancat e larta, duke krijuar vonesa dhe minuar besimin në proceset zgjedhore.
Ata rikujtojnë se kompetenca për verifikimin e kandidatëve i takon Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të subjekteve politike. Kjo zyrë shqyrton listat e kandidatëve dhe rekomandon KQZ-në për certifikim.
DnV bën thirrje për vendimmarrje profesionale dhe të pavarur në përputhje me ligjin, duke shmangur abstenimet dhe tejkalimet e kompetencave ligjore.

Leave a Reply