Ekipi i Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura të Shqipërisë zhvilloi sot një vizitë në disa njësi homologe në Kosovë.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, njoftoi këtë ngjarje, duke theksuar bashkëpunimin shumëdimensional në fushën e mbrojtjes.
Vengu theksoi se “rritja e kapaciteteve njerëzore dhe operacionale mbetet prioritet për Forcat e Armatosura dhe Ministrinë e Mbrojtjes”.
Sipas ATSh, vizita e ekipit të Komandës Mbështetëse të FA-së në Kosovë synon rritjen e ndërveprimit dhe forcimin e reagimit profesional e efektiv në terren.
Bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes është konkretizuar me pjesëmarrjen aktive në stërvitjen ndërkombëtare “Defender Europe 2025”, ku Shqipëria dhe Kosova luajnë një rol kyç.
Një tjetër fushë me rëndësi strategjike është ajo e arsimit ushtarak. ATSh raportoi se Akademia e Forcave të Armatosura shqiptare vazhdon të ofrojë bursa dhe kurse për studentët dhe oficerët nga Kosova, ndërkohë që po shqyrtohen kuota të veçanta në universitete publike për specialitete të rëndësishme për mbrojtjen.
Plani i bashkëpunimit dypalësh për vitin 2025 përfshin 64 aktivitete konkrete: takime, trajnime, shkëmbim informacioni dhe stërvitje, që janë tashmë në proces zbatimi. /atsh.al

Leave a Reply