Veteranët pa pension meritor, asnjë aktivitet përkujtimor

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë thirrje për reflektim dhe respekt ndaj sakrificës së veteranëve me rastin e Ditës së Veteranëve të UÇK-së.

Në një deklaratë të publikuar në Facebook, OVL UÇK kritikoi qeverinë për mosdhënien e pensioneve meritore për veteranët e UÇK-së për pesë vite, duke theksuar se kjo ishte një nënçmim i dinjitetit të tyre dhe rezultat i politizimeve të qëllimshme në bashkëpunim me Listën Serbe. Deklarata vuri në dukje se veteranët janë përballur me epitete fyese dhe janë trajtuar si barrë e shoqërisë pa mbrojtje shtetërore, duke shtuar se madje ka pasur deklarata publike që preferonin pagesën e mercenarëve mbi veteranët e luftës.

OVL UÇK kritikoi mungesën e aktiviteteve shtetërore dhe vizitave te varret e dëshmorëve, duke e cilësuar këtë si një heshtje politike që synon të shkëputet nga historia e luftës. Në përfundim, OVL UÇK rikujtoi se Kosova është ndërtuar mbi sakrificën e dëshmorëve dhe veteranëve, jo mbi neutralitet apo konferenca.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *