Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë publike raportet e paaudituara të financimit të fushatës zgjedhore të subjekteve politike për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Sipas këtyre dokumenteve, Lëvizja Vetëvendosje ka shpenzuar 992 mijë euro gjatë kësaj fushate, ndërsa të ardhurat e saj totale kanë qenë 604 mijë e 13 euro e 40 centë. Shumica e fondeve të VV, 567,451.40 euro, kanë ardhur nga buxheti i shtetit, ndërsa donacionet dhe kontributet në të holla kanë arritur në 36 mijë e 680 euro.
Shpenzimet më të mëdha janë shënuar në reklama dhe aktivitete promovuese, me një total prej 802 mijë e 265 euro e 49 centë. Në shpenzime të tjera, transporti ka kushtuar 118,468.75 euro dhe shpenzimet e përgjithshme kanë qenë 56,676.01 euro.
Në fund të periudhës raportuese, Vetëvendosje ka pasur 288,720.89 euro në para dhe ekuivalente, me detyrime afatshkurtra prej 388 mijë e 431 euro e 34 centë, kryesisht ndaj shërbimeve reklamuese dhe qirave. KQZ thekson se publikimi i raporteve synon transparencë në shpenzimet e fushatave.

Leave a Reply