Von der Leyen prezanton strategjinë për “murin mbrojtës të dronëve”

Komisioni Evropian është në pritje të zbatimit të një plani për ndërtimin e një muri me dronë për të mbrojtur vendet lindore të Bashkimit Evropian nga shkeljet, siç ishte ajo e 9 shtatorit në Poloni, ku hapësira ajrore e këtij vendi u sulmua nga rreth 20 dronë, të cilët dyshohet se kanë ardhur nga Rusia përmes territorit të Ukrainës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi për këtë iniciativë të propozuar nga Gjermania, Polonia dhe Finlanda, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, gjatë një takimi që zhvilluan në Bruksel.

“Europa duhet të japë një përgjigje të fuqishme dhe të përbashkët ndaj ndërhyrjeve të papritura nga Rusia.”

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s e vlerësoi këtë nismë si “të shkëlqyer”.

“Ne duhet të mbrojmë hapësirën tonë ajrore, prandaj iniciativa e dronëve është e domosdoshme dhe e duhur në kohë, sepse në fund të fundit nuk mund të shpenzojmë miliona euro për raketa, ndërkohë që lëmë pas dore dronët që kushtojnë vetëm disa mijëra dollarë.”

Drejtoresha e ekzekutivit të BE-së njoftoi gjithashtu se do të jepen 2 miliardë euro për furnizimin e Ukrainës me dronë, fonde që do të sigurohen nga asetet e ngrira të Rusisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *