Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi Kosovën të mërkurën, si pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor.
Në Prishtinë, ajo u takua me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Gjatë këtyre takimeve, theksi u vendos mbi angazhimin e Kosovës për integrim evropian, diskutimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe kërkesën për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.
Von der Leyen, në një postim në “X”, theksoi përkushtimin e BE-së për integrimin e rajonit dhe nevojën për institucione të forta dhe ulje të tensioneve. Presidentja Osmani kërkoi heqjen e masave dhe përshpejtimin e procesit për statusin e kandidatit të Kosovës në BE.
Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e reformave dhe demokracisë. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e BE-së dhe kërkoi avancimin e procesit të anëtarësimit, duke përmendur edhe zgjedhjet lokale si të lira dhe demokratike.
Ai i dorëzoi von der Leyen tri letra për dialog strategjik në bujqësi, TIK dhe mbrojtje, duke synuar thellimin e bashkëpunimit ekonomik. Në përfundim, liderët kosovarë kërkuan mbështetje më konkrete nga BE-ja, ndërsa von der Leyen theksoi rëndësinë e veprimeve konkrete për integrimin.

Leave a Reply