Votat e Diasporës Shtyjnë Gjilanin në Raundin e Dytë të Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur të shtunën numërimin e votave nga diaspora, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

Në disa komuna, procesi i numërimit të votave të dërguara me postë ka përfunduar. Në Gjilan, rezultatet nga votat e diasporës tregojnë se Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje ka fituar 687 vota, ndërsa Arbër Ismajli i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka siguruar 482 vota.

Kjo komunë pritet të shkojë në balotazh, edhe pse Hyseni ishte afër fitimit në raundin e parë. Numërimi i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta mbetet i papërfunduar.

Rezultatet paraprake tregojnë se Hyseni, përfshirë votat e diasporës, ka grumbulluar gjithsej 22.140 vota ose 49.84%, ndërsa Ismajli ka 15.245 vota ose 34.29%. Numërimi i votave të diasporës ka përfunduar gjithashtu në Junik dhe Dragash.

Të dy këto komuna pritet të shkojnë në balotazh, ku në Junik do të përballen Ruzhdi Shehu i LDK-së dhe Agron Kuçi i AAK-së, ndërsa në Dragash gara do të jetë mes Bexhet Xheladinit të LDK-së dhe Shaban Shabanit të PDK-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *