Vuçiq sugjeron ekip operativ për integrim më të shpejtë në BE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka sugjeruar krijimin e një grupi operativ për të përshpejtuar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ky propozim u prezantua gjatë një mbledhjeje të Qeverisë serbe, ku Vuçiq rekomandoi Danijel Apostoloviqin, kreun e Misionit Serb në BE, si drejtues të këtij grupi. Sipas Vuçiqit, grupi do të përbëhet nga tetë deri në dhjetë anëtarë, të cilët do të komunikojnë çdo ditë përmes konferencave telefonike për të rritur efikasitetin e reformave.

Gjatë mbledhjes, Vuçiq kritikoi disa ministra dhe drejtorë të ndërmarrjeve publike, duke paralajmëruar për mundësi shkarkimesh. Megjithëse më herët kishte përmendur se do të diskutoheshin kërkesa nga SHBA për dialog strategjik, kjo temë nuk u trajtua në mbledhje.

Vuçiq shprehu mirënjohje ndaj SHBA-së për zgjatjen e licencës së NIS-it dhe për përjashtimin e Serbisë nga lista e zezë e vizave të emigrantëve. Ai po ashtu vlerësoi pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, si një sinjal politik pozitiv nga SHBA.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *