Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publike rezultatet paraprake, pas numërimit të 95% të votave.
Në krye renditet Lëvizja Vetëvendosje, e ndjekur nga PDK, LDK dhe AAK. Por si reflektohen këto përqindje në ndarjen e ulëseve në Kuvendin e Kosovës?
Sipas metodës “D’Hondt”, Vetëvendosje, megjithëse nuk ka arritur 50% të votave, do të marrë 56 ulëse, tetë më shumë se zgjedhjet e 9 shkurtit. Për të arritur shumicën e nevojshme prej 61 ulëseve, do t’i duhen edhe pesë vota shtesë.
PDK, me 21% të votave, do të ketë 23 ulëse, një më pak nga legjislatura e mëparshme. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka pësuar humbje, duke zbritur nga 20 në 15 ulëse, pas sigurimit të 13% të votave.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 6 ulëse, dy më pak se zgjedhjet e kaluara kur garonte në koalicion me Nismën Socialdemokrate. Kjo e fundit nuk e kaloi pragun zgjedhor.
Ndërkohë, 20 ulëse ndahen midis komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera. Përllogaritja nuk përfshin votat e postës dhe ato diplomatike.
Nga 2,557 vendvotime, janë numëruar 2,464. Në zgjedhje morën pjesë 890,859 votues nga 1,999,204 të regjistruar.
Këto ishin zgjedhjet e dyta parlamentare të vitit 2025 në Kosovë.

Leave a Reply