Real Madridi pësoi një humbje të rëndë me rezultat 5-2 në ndeshjen kundër Atletico Madridit, e zhvilluar si pjesë e javës së shtatë në kampionatin kryesor të futbollit në Spanjë.
Nga fillimi, vendasit dominuan ndeshjen, megjithëse Real Madridi arriti përkohësisht të përmbysë rezultatin në favor të tij.
Pas kësaj humbjeje të thellë që ndërpreu serinë prej gjashtë fitoresh radhazi, trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, shprehu pakënaqësinë e tij.
“Ishte një ndeshje e keqe. Nuk ishim aspak mirë. Pa justifikime, na vjen keq. Na munguan shumë gjëra. Kjo humbje dhemb”.
“Do ta përdorim këtë për të mësuar nga gabimet tona. Nuk gjetëm zgjidhje, ishte një ndeshje e dobët. E merituam humbjen”.
“I dhamë kundërshtarit shumë dhurata. Ua dhamë gjithçka, dhe nuk konkurruam. E merituam humbjen, pa dyshim”.
“Nuk duhet të harrojmë rrugën e mirë që kemi ndjekur. Sigurisht që kur ndodh një humbje kaq e rëndë, të dhemb, por duhet të kthehemi te ajo që dimë të bëjmë mirë, dhe duhet të reagojmë tani”, tha trajneri spanjoll.
“Los Blancos” do të përqendrohen tani në Ligën e Kampionëve, ku të martën do të luajnë kundër Kairat Almatyt në Kazakistan./Telegrafi/

Leave a Reply