Ymeri: KEDS nuk siguroi energji në kohë, rrjeti në krizë

Në Kosovë, edhe sot priten ndërprerje të energjisë elektrike, situatë që ka nxitur reagimin e deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri.

Përmes një postimi në Facebook, Ymeri ka shprehur shqetësimin e saj mbi menaxhimin e sektorit energjetik në vend, duke theksuar se Kosova është pranë një kolapsi të plotë. Ajo ka shpjeguar se KEDS ka porositur rreth 26% më pak energji sesa është e nevojshme, duke e krahasuar me një situatë ku në doganë nuk deklarohet sasia e duhur për import.

Rrjedhimisht, KOSTT është detyruar të ndërpresë furnizimin për të shmangur një kolaps total të rrjetit. Ymeri ka kritikuar ZRRE-në për mungesë të një plani të qartë, duke thënë se ka lënë sektorin të funksionojë në mënyrë të çrregullt.

Ajo ka paralajmëruar se kjo situatë rrezikon të kthejë menaxhimin e rrjetit energjetik nën kontrollin e Serbisë, siç ishte para vitit 2021. Për më tepër, ajo ka theksuar se kostot e importit emergjent dhe tregut të ditës janë të larta dhe do të reflektohen në rritje të faturave të energjisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *