Zafir Berisha, kryetari i Bashkimit Demokratik të Prizrenit (BDP), ka bërë të ditur se është në negociata me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjen Vetëvendosje (VV) për balotazhin e zgjedhjeve për kryetar të komunës së Prizrenit, që do të zhvillohet më 9 nëntor.
BDP ka arritur të sigurojë tre këshilltarë komunalë në Kuvendin e Prizrenit, duke u bërë një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e kryetarit të ardhshëm, raporton KosovaNews. Berisha ka theksuar se vendimi për mbështetjen e njërës prej dy partive do të merret së shpejti.
Me ironi, ai ka deklaruar: “Jam në bisedime me dy partitë, brenda këtyre dy ditëve do të vendosim. Nesër i marr gërshërët te kovaçi,” duke nënkuptuar se është përgatitur për një vendim të rëndësishëm politik.
Në zgjedhjet e 12 tetorit, Berisha mori 3,123 vota. Pas numërimit të votave, Shaqir Totaj nga PDK kryeson me 41.45%, ndërsa Artan Abrashi i Vetëvendosjes renditet i dyti me 30.39%.
LDK ende nuk ka vendosur për qëndrimin e saj në balotazh. Ndërkohë, Abrashi ka nënshkruar marrëveshje koalicioni me AAK-në, NDS-në dhe Partinë Rome të Bashkuar.

Leave a Reply