Zbulohen eshtra njerëzore në Bjeshkët e Strellcit, dyshohet të jenë të viktimave të luftës

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se janë zbuluar dhe zhvarrosur mbetje mortore në zonën Lugjet e Nekës, në Bjeshkët e Strellcit. Këto mbetje mund t’u përkasin viktimave të luftës që ende janë në Listën e Personave të Zhdukur.

Sipas njoftimit, informacionet janë marrë nga qytetarë dhe janë adresuar te Sektori i Policisë për Personat e Zhdukur në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe me IML-në, me përkrahjen e ekspertëve të EULEX-it.

“Me urdhër të Prokurorit kompetent, mbetjet mortore u zhvarrosën dhe u dërguan në IML për ekzaminime të mëtejme dhe identifikim përmes analizës së ADN-së”.

“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i përkushtuar ndaj zbardhjes së fatit të çdo personi të zhdukur dhe vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. U bëjmë thirrje qytetarëve që të ndajnë çdo informacion të mundshëm që ndihmon në këtë proces”, thuhet në njoftim.

Tutje, KQPZh tha se për çdo zhvillim të ri, publiku do të informohet menjëherë pas përfundimit të procedurave përkatëse.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *