ZRrE: Tarifat e “Termokos” mbeten të pandryshuara për 2026

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike ka miratuar të hyrat maksimale për Termokosin, duke njoftuar se tarifat për ngrohjen në Prishtinë nuk do të ndryshojnë për vitin 2026.

Sipas këtyre të hyrave, çmimet për konsumatorët shtëpiakë do të mbeten 76 cent për metër katror në muaj, ndërsa për bizneset dhe institucionet do të jenë 95 cent për metër katror. Procesi i miratimit të tarifave përfshiu analizimin e aplikacionit të dorëzuar nga Termokos, pas së cilës kompania bëri korrigjimet e nevojshme sipas komenteve të ZRrE-së.

Astrit Saraqini, udhëheqës i Departamentit për Energji Termike dhe Gaz, tha se kostot operative janë llogaritur në 7 milionë e 49 mijë euro, ndërsa të hyrat e pritura nga tarifat arrijnë shifrën prej 11 milionë e 463 mijë e 803 euro. Ky vendim synon të mbajë stabilitetin e tarifave për qytetarët e Prishtinës, duke siguruar një menaxhim të qëndrueshëm të burimeve financiare për furnizimin me ngrohje.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *