Një punonjëse policore në Suedi është paraqitur përpara gjykatës, e akuzuar për mashtrim lidhur me pushimet shëndetësore, të cilat dyshohet se i ka përdorur për të zgjatur qëndrimin e saj veror në Kosovë për tre vite rresht.
Sipas burimeve mediatike suedeze, hetimet paraprake zbuluan se e dyshuara, në të tre rastet, ka qenë me pushime në Ballkan, duke përfshirë Prizrenin. Shefi i saj konfirmoi se ajo kishte aplikuar për pushim, por kërkesat nuk i ishin miratuar në datat e përmendura, gjatë të cilave ajo është raportuar si e sëmurë.
Në gjykatë, hetuesja me origjinë shqiptare mbrojti veten duke deklaruar se kishte probleme shëndetësore, kryesisht të natyrës mendore, që pengonin kthimin në punë. Ajo theksoi se “njeriu ka të drejtë të jetë i sëmurë kudo që ndodhet”.
Hetimi gjithashtu zbuloi se biletat e kthimit të saj nga pushimet ishin rezervuar për datat pas kthimit të planifikuar në punë, duke i sjellë asaj përfitime prej mbi 17 mijë korona nga pagesat e lejes mjekësore. Në aktakuzë, ajo përballet me akuza për mashtrim të rëndë dhe deklarim të rremë, me dënimin që varion nga gjashtë muaj deri në gjashtë vjet burg.

Leave a Reply