Jahir Sumiçi, drejtues i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve në Mitrovicë, deklaroi se përfaqësuesit e tij dhe të koalicionit kanë bojkotuar procesin e numërimit për shkak të presionit nga prokurori i rastit.
Sipas Sumiçit, ky presion kishte për qëllim vazhdimin e numërimit pavarësisht parregullsive të raportuara. Procesi i numërimit, i cili filloi në orën 10:00 dhe përfundoi në 19:00, përfshinte hapjen e 35 kutive votimi.
Sumiçi theksoi se në 10 prej tyre u konstatuan parregullsi në dokumentacion dhe fletvotime. Ai përmendi se në disa vendvotime, fletvotimet ishin zhvendosur mes klasave ose shkollave, duke krijuar mospërputhje në numrat serikë dhe të vendvotimeve.
Sumiçi vuri në dukje qëndrimet e kundërta me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke përmendur problematika në shkolla si Abdullah Shabani dhe Migjeni. Pas evidentimit të këtyre parregullsive, Policia e Kosovës u njoftua dhe më pas u përfshi hetuesia.
Megjithatë, prokurori vazhdoi të insistonte që procesi të vazhdonte, pavarësisht gjetjeve, tha Sumiçi.

Leave a Reply